Half Rooster

Find out more
about the contributors

Half Rooster

An Albanian folk tale told by David Heathfield


Na ishte një herë, një plak dhe një plakë. Gjithçka që kishin në këtë botë ishte një mace dhe një gjel.

Ata ishin shumë të varfër dhe shumë të uritur, dhe u grindën keqas me njëri-tjetrin e vendosën që të ndaheshin përgjithmonë.

Plaka mori macen, ndërsa plaku mori gjelin.

Macja kapte zogj të vegjël dhe plaka i piqte zogjtë, e kështu kishte diçka për të ngrënë.

Por plaku i gjorë nuk kishte asgjë për të ngrënë.

Kaloi një farë kohe dhe një ditë ai shkon te gjeli dhe i thotë, “Më vjen keq or mik… nuk kam ç’bëj, do të të ndaj në gjysmë dhe do të ha gjysmën tënde”.

Dhe gjeli pranoi.

Plaku e ndau gjelin në gjysmë dhe që nga ajo ditë u quajt Gjysmagjel.

Gjysmagjeli jetoi me plakun, por pas ca kohësh mendoi, “Duhet të shkoj për kësmet që të fitoj para”.

Prandaj Gjysmagjeli u nis duke kërcyer me një këmbë në rrugë për të shkuar për kësmet.

Rrugës takon një bretkosë që rrinte në një pellg:

“Kuak… ku po shkon… kuak?’

“Kam dalë në botë për kësmet”.

Gjysmagjel o Gjysmagjel,

më merr mua në bark,

kur të kërkosh ndihmë

do të dal me vrap”.

“Eja bretkosë, hyr në barkun tim”.

Dhe bretkosa kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë derisa takohet me një dhelpër:

“Ku po shkon?”

“Kam dalë në botë për kësmet”.

Gjysmagjel o Gjysmagjel,

më merr mua në bark,

kur të kërkosh ndihmë

do të dal me vrap”.

“Eja dhelpër, hyr në barkun tim”.

Dhe dhelpra kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë derisa takohet me një ujk:

“Ku po shkon?”

“Kam dalë në botë për kësmet”.

Gjysmagjel o Gjysmagjel,

më merr mua në bark,

kur të kërkosh ndihmë

do të dal me vrap”.

“Eja ujk, hyr në barkun tim”.

Dhe ujku kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë derisa takohet me një mi të vogël:

“Ku po shkon?”

“Kam dalë në botë për kësmet”.

Gjysmagjel o Gjysmagjel,

më merr mua në bark,

kur të kërkosh ndihmë

do të dal me vrap”.

“Eja mi, hyr në barkun tim”.

Dhe miu kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë.

                       

Por tani barku i ishte mbushur plot dhe Gjysmagjeli hyri në kopshtet e pallatit të mbretit. Dhe atje në kopshtin e mbjellë me lakra, ai filloi të këndojë ashtu si di të këndojë vetëm një gjysmagjel.

Mbreti doli me vrap. “Ç’është gjithë kjo zhurmë? Kapeni atë gjel!”

Rojet e mbretit dolën të kërkojnë gjelin në kopshtin me lakra. Dhe i prenë të gjitha kokat e lakrave derisa erdhën tek e fundit. Dhe aty, brenda në lakër, gjetën Gjysmagjelin.

“Kapeni dhe piqeni atë gjysmagjel!” tha mbreti.

Kështu ata e kapën Gjysmagjelin dhe e futën në furrë. “Më shpëto” tha Gjysmagjeli.

Bretkosa doli nga barku i tij dhe i gjithë uji që kishte gëlltitur nga pellgu vërshoi mbi zjarr dhe fiku flakët.

“Epo mirë”, tha mbreti, “Hidheni te patat që ta çukisin me sqep gjysmagjelin e të ngordhë!”

Dhe rojet e hodhën në mes të patave. Dhe patat u bënë gati ta çukisin me sqep. Sapo filluan ta çukisin, Gjysmagjeli tha “Më shpëto!”

Dhe del nga barku i tij dhelpra dhe dhelpra i hëngri të gjitha patat.

“Epo mirë,” tha mbreti. “Futeni në stallë, le ta shkelin me këmbë kuajt e mi dhe të ngordhë!”

Kështu, rojet e mbretit e hodhën Gjysmagjelin në stallë dhe mbyllën derën e stallës me shul, dhe kuajt u ngritën në dy këmbët e pasme duke kërcyer lart, gati për ta shkelur Gjysmagjelin… “Më shpëto!” tha ai.

Dhe nga barku i tij doli ujku, i cili i vrau të gjithë kuajt e mbretit.

“Epo mirë,” tha mbreti. “Futeni dhe kyçeni mirë në arkën e thesarit tim!”

Kështu, rojet hapën arkën e thesarit të mbretit dhe e futën Gjysmagjelin brenda dhe e kyçën mirë.

Arka e thesarit ishte plot me monedha floriri, dhe Gjysmagjeli i hëngri një nga një derisa të gjitha i futi në bark… “Më shpëto” tha Gjysmagjeli!”

Dhe nga barku i tij doli miu dhe miu brejti një vrimë në anë të arkës së thesarit.

Dhe nga vrima Gjysmagjeli doli jashtë me të gjitha monedhat e floririt në bark, dhe duke kërcyer mori rrugën për t’u kthyer te plaku. Ndërsa Gjysmagjeli kërcente rrugës, dhe rojet e mbretit e ndiqnin pas (por nuk ishin aq të shpejtë sa ta kapnin), një monedhë floriri i del nga sqepi dhe i bie në rrugë.

Dhe duke kërcyer në një këmbë, kthehet te plaku.

“Unë do jetoj këtu me ty”, i tha Gjysmagjeli. “Por duhet të më ushqesh mirë dhe të më japësh një vend të butë ku të fle gjumë. Mos harro të më godasësh me shkop çdo ditë”.

Plaku e goditi Gjysmagjelin me shkop, dhe nga sqepi i doli një monedhë floriri.

Plaku, mori monedhën dhe bleu plot ushqim për të ngrënë e i teproi.

Ditën tjetër, ai e goditi sërish Gjysmagjelin me shkop, dhe prapë doli një monedhë tjetër, edhe ditën tjetër një monedhë tjetër; çdo ditë nga një monedhë floriri.

Plaka kur e mori vesh se plaku ishte bërë i pasur me gjithë ato monedha floriri, u bë xheloze dhe dërgoi macen të gjente edhe ajo monedha floriri.

Dhe macja u nis për rrugë, dhe mbërriti aty ku kishte rënë monedha e floririt nga sqepi i Gjysmagjelit. Dhe macja e hëngri monedhën dhe vazhdoi rrugën.

Por, pas kësaj nuk gjeti më monedha floriri, prandaj filloi të gëlltisë gjëra të tjera.

Dhe kur macja u kthye te plaka, ajo mori shkopin dhe e goditi macen. Dhe ja, nga goja i doli një monedhë floriri.

Plaka u gëzua… por vetëm për një ditë.

Ditën tjetër, kur goditi macen, nga goja i doli një hardhucë.

Dhe ditën tjetër, kur e goditi, nga goja i doli një mi.

Dhe ditën e tretë, nga goja i doli një gjarpër.

Plaka u inatos aq shumë, sa e rrahu macen derisa ngordhi, edhe ajo vetë vdiq nga inati.The cat eats something strange

Dhe kështu, Gjysmagjeli dhe plaku jetuan të ngopur e të kënaqur gjithë ditët e jetës.