Hard Times (A True Story)

Find out more
about the contributors

Hard Times (A True Story)

An Albanian Story by Anonymous


Kohë të vështira
(Histori e vërtetë)

Histori shqiptare nga Anonim


Isha shumë e vogël kur filloi lufta, prandaj nuk më kujtohet shumë mirë. Por mbaj mend që isha e trembur, të gjithë ishin si në gjemba dhe asnjë prej nesh nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. Askush nuk ndihej i sigurt dhe dëgjonim histori të tmerrshme vrasjesh e dhune.

Më kujtohet nëna kur na tha një ditë se nëse do të rrinim në shtëpi, nuk e kishim jetën të sigurt. Na tha se duhej të kalonim kufirin dhe të qëndronim larg shtëpisë deri kur të përfundonte lufta.

Kisha shumë frikë dhe nuk doja të largohesha nga shtëpia. Babai nuk ishte me ne dhe unë e kuptoja se nëna ishte shumë e frikësuar. Ajo ishte shtatzënë me motrën time më të vogël dhe kishte katër vajza për t’u kujdesur, bashkë me mua. Unë isha shumë e vogël që ta ndihmoja, prandaj nëna duhet të jetë ndierë shumë e vetmuar.

Qarkullonin shumë histori për njerëz që humbnin në kufi, dhe kjo na trembi shumë të gjithave. Babai nuk ishte me ne dhe nëna kishte vendosur që me ne të vinte edhe halla. Mund ta imagjinoj se sa të dobëta duhet të jenë ndierë që u duhej të kujdeseshin për katër vajza të vogla në një situatë të frikshme si ajo. Dëgjonim se njerëzit vriteshin, dhe se për të kaluar kufirin me Maqedoninë lejonin vetëm një numër të caktuar njerëzish në ditë. Nga kjo u frikësuam shumë, por nëna këmbëngulte se ishte e domosdoshme që të niseshim për rrugë që të ishim të sigurta derisa të përfundonte lufta.

Nuk më kujtohet kur kaluam kufirin, por nëna ma ka treguar historinë shumë herë. Bëhej një zhurmë e madhe dhe shumë njerëz shtyheshin me njëri-tjetrin. Të gjithë ishin si në gjemba për shkak të historive dhe askush nuk ishte i sigurt se çfarë u ndodhte atyre që merreshin nga ushtarët.

Pikërisht në momentin kur po kalonim kufirin, nënës sime i humbi nga sytë motra ime më e madhe dhe nuk po arrinte ta gjente në turmë. Papritur ajo u tremb shumë duke menduar se neve do të na lejonin të kalonim kufirin, ndërsa motra do të mbetej prapa ose do të kapej nga ushtarët. Mirëpo, halla e gjeti motrën time në kohë dhe e ndihmoi të kalojë kufirin, kështu ne u bashkuam sërish në anën tjetër.

Ne qëndruam me familjen e nënës sime në Maqedoni derisa përfundoi lufta, dhe më pas kur gjendja u bë e sigurt u kthyem në shtëpi. Por, kur isha tetë vjeçe nëna më tha se kishte ardhur koha të largoheshim sërish. Unë nuk doja të largohesha, sepse herën e parë isha trembur shumë, por nëna më tha se kësaj here do të shkonim në Angli sepse atje do të kishim të gjithë një të ardhme më të mirë. Në fillim nuk doja aspak, sepse nuk dëshiroja të lija shoqet e mia, por kur mbërrita këtu më pëlqeu shumë.

Në vendin tim, shkolla mbaronte në darkë, por këtu më pëlqen që qëndrojmë deri në orën tre pasdite. Këtu në Angli ka shumë gjëra nga të cilat mund të zgjedhësh, dhe mendoj se mund të shkosh në universitet edhe nëse nuk ke shumë para; të duhet vetëm të punosh shumë të studiosh shumë dhe të jesh e vendosur.

Megjithëse m’u desh pak kohë sa të mësohesha këtu, jam e lumtur që mund të them që Anglia është shtëpia ime sepse kam kaq shumë shokë e shoqe të mira këtu. Këtu në Angli ka edhe fëmijë nga e gjithë bota. Në shkollën time ka fëmijë nga Somalia, Bangladeshi, Polonia, Portugalia dhe Filipinet. Edhe nga disa vende të tjera. Mua nuk më duket se jam ndryshe ngaqë jam nga Shqipëria.

Mendoj se kuptimi i kësaj historie është të pranosh ndryshimet. Jeta ndonjëherë mund të jetë vërtet e vështirë dhe e frikshme, dhe ndonjëherë jeta sjell shumë ndryshime, por unë e shoh që nga ndryshimet mund të vijnë gjëra të mira. Unë mezi pres që të shkoj në universitet dhe të filloj karrierën, dhe jam e lumtur që jam në një vend që është plot me mundësi dhe ku jam e rrethuar nga kaq shumë kultura të ndryshme. Historinë time e quaj Kohë të vështira, por në të vërtetë kuptimi i kësaj historie janë mundësitë që jeta të jep kur mbijeton gjatë kohëve të vështira dhe sheh përpara drejt së ardhmes.