The Three Brothers

Find out more
about the contributors

The Three Brothers

An Albanian Story By Anonymous


Tre vëllezërit

Përrallë shqiptare nga Anonim


Na ishte njëherë një burrë i varfër që vdiq dhe la pas gruan dhe djalin e tij. Emri i djalit ishte Kordha, dhe me kalimin e kohës ai u bë i madh e i fortë. Nëna dhe djali ishin të lumtur së bashku, por ishin shumë të varfër.

Një ditë, Kordha pyeti nënën e tij, “A nuk ka asgjë që më ka lënë babai kujtim?”

“Ai na la ca gjëra, bir”, u përgjigj nëna, “por u detyrova t’i shes për të blerë ushqim. Më kujtohet që ka mbetur vetëm diçka… një shpatë që yt atë e kishte fshehur në çati. Ndoshta është ende atje”.

Kordha u gëzua shumë kur u ngjit në çati dhe e gjeti shpatën ende atje, të ndryshkur dhe të mbuluar me pluhur. Djali e pastroi shpatën dhe filloi ta lustrojë derisa u bë si e re.

Ditën tjetër, Kordha i tha nënës se do të largohej nga fshati për të kërkuar fatin dhe që të mos ishin më të varfër. Nëna iu lut djalit të mos largohej, por djali i tha të mos shqetësohej sepse do të kthehej sa më shpejt të mundej. “Dhe kur të kthehem”, i tha ai nënës “nuk do të jemi më të varfër e as të uritur më kurrë. Do të jemi të pasur dhe të begatë”.

Pas një jave udhëtim, Kordha mbërriti te një mal ku takoi një djalë tjetër që e kishte emrin Ylli. Ylli i dha Kordhës për të ngrënë nga ato që kishte dhe ata dhanë besën që do të bëheshin vëllezër dhe do të mbronin gjithmonë njëri-tjetrin nga rreziqet. “Fatet tona tani janë bashkuar”, tha Kordha ndërsa ngriti shpatën drejt qiellit.

Ditën tjetër, dy djemtë u nisën në kërkim të fatit dhe aventurave. Ata udhëtuan për shumë ditë e net, nëpër vende të ashpra e pyje të dendur, derisa një natë ndaluan të pushojnë pranë një liqeni të vogël nën hënën e kthjellët. Dy djemtë ishin të rraskapitur dhe shumë të uritur, dhe asnjëri prej tyre nuk arriti të kapë peshk për darkë.

Në mes të natës, nga errësira u doli përpara një djalë tjetër që u dha udhëtarëve peshk të freskët për të ngrënë. Emrin e kishte Deti dhe u bashkua me Kordhën dhe Yllin, e të tre dhanë besën se do të ishin vëllezër dhe do të mbronin gjithmonë njëri-tjetrin.

Kështu, të tre djemtë u nisën të nesërmen në mëngjes në kërkim të fatit dhe aventurës. Ata udhëtuan shtatë ditë e shtatë net derisa mbërritën te një kështjellë e mrekullueshme e rrethuar nga një hendek i madh dhe e ndërtuar në një luginë të thellë e të bukur me bar të gjatë. Mbreti mendjemadh qëndronte në portat e kështjellës dhe tha se nëse ndonjë burrë ose djalosh kishte aq guxim sa të kalonte me kërcim hendekun, ai do t’i jepte vajzën e tij për grua. “Por, nëse nuk arrin të kalosh hendekun”, tha mbreti me zë buçitës, “nëse bie në ujë, atëherë do të të fluturojë koka nga shpata e ushtarit tim më të mirë!”

Kordha donte ta provonte të kërcente në anën tjetër të hendekut dhe të fitonte dorën e princeshës, por kishte frikë se nuk do ta kalonte dot e do t’i pritej koka. “Kush do të kujdeset për nënën time nëse nuk arrij të fitoj?” mendoi ai me vete.

Pastaj, Ylli u afrua dhe i dha Kordhës një gurë. “Pse nuk provon ta hedhësh këtë gur përtej hendekut dhe të shohësh si fluturon”, i tha ai vëllait të tij.

Kordha bëri siç i tha Ylli dhe e hodhi gurin përtej hendekut dhe e pa që ra në portat e kështjellës në anën tjetër.

“Nuk ishte aq e vështirë, apo jo?” e pyeti Ylli.

“Por unë nuk jam gur”, u përgjigj Kordha. “Unë peshoj shumë më shumë se një gur i vogël”.

Ylli qeshi me vëllanë e tij. Atëherë, mori dorën e Kordhës dhe dorën e Detit dhe pa i paralajmëruar fare, filloi të vrapojë drejt cepit të hendekut që rrethonte kështjellën. “Vetëm imagjinoni sikur jeni të lehtë si një gur i vogël”, thirri Ylli ndërsa të tre vëllezërit iu afruan cepit të hendekut dhe kërcyen në ajër. Me ndihmën e Yllit, vëllezërit fluturuan lart e më lart në ajër dhe kaluan përtej ujit me lehtësi të madhe, si të ishin gurë të vegjël të hedhur nga dora e një gjiganti.

Kur u ulën në anën tjetër, mbreti kishte mbetur pa fjalë dhe i habitur. Shumë burra trima kishin provuar të kërcenin hendekun dhe kishin humbur jetën.

“Cili nga ju djelmosha guximtarë do të jetë ai që do të martohet me vajzën time?” pyeti mbreti.

Ylli dhe Deti vendosën pa menduar gjatë se me princeshën do të martohej vëllai i tyre Kordha.

Ditën tjetër, u bë një dasmë e madhe me ushqime dhe muzikë e plot festime. Të tre vëllezërit u veshën me rroba të bukura dhe Kordha ishte njeriu më i lumtur në botë. Princesha ishte e sjellshme, e bukur dhe e hirshme Fliste me Yllin dhe Detin dhe ndenji gjithë ditën dorë për dore me Kordhën e nuk u largua asnjë çast prej tij.

Pas dasmës, të tre vëllezërit u ulën të bisedojnë se çfarë do të bënin më pas. Kordha mendonte se ishte koha të kthehej në shtëpi dhe kështu i pyeti vëllezërit e tij nëse donin të vinin me të dhe të jetonin në fshatin e tij.

“Ne kemi dhënë besën që do të jemi vëllezër dhe do ta mbrojmë gjithmonë njëri-tjetrin”, tha Ylli.

“Vëllezërit qëndrojnë bashkë”, tha Deti duke buzëqeshur.

Dhe kështu, princesha dhe tre vëllezërit vendosën të shkojnë mëngjesin tjetër në fshatin e Kordhës.

Mbretit i erdhi keq që vajza e tij do të largohej nga pallati, por e dinte se ajo do të ishte e lumtur me burrin e saj dhe kështu i dha çiftit të ri një sënduk plot me flori që t’i ndihmonte të fillonin jetën së bashku.

Të tre vëllezërit dhe princesha e bukur u nisën për rrugë herët në mëngjes, kur sapo po lindte dielli mbi kreshtën e luginës. Ata udhëtuan për ditë e net të tëra, dhe udhëtimi nuk ishte gjithmonë i lehtë, por më në fund të katërt mbërritën në shtëpinë e thjeshtë të Kordhës në fshatin e tij të vogël.

Kur dëgjoi zhurmën e kuajve, nëna e Kordhës vrapoi jashtë për të takuar djalin me lot në sy. Ajo nuk po u besonte syve kur i pa me rroba aq të mira dhe të martuar me një princeshë kaq të bukur. Më pas Kordha e prezantoi nënën me Yllin dhe Detin dhe i tha asaj se ata ishin bërë vëllezër dhe kishin dhënë besën se do ta mbronin përgjithmonë njëri-tjetrin.

“Nëse jeni vëllezërit e djalit tim”, tha plaka, “atëherë jeni edhe djemtë e mi”.

Atë natë nëna e Kordhës gatoi ushqime për të gjithë dhe ata hëngrën e pinë dhe folën për jetën që i priste.

Pasi hëngrën, Ylli u çua dhe nguli me gozhdë një pupël mbi derën e shtëpisë së vogël. “Kjo pupël është shenjë e dashurisë dhe betimit tonë për të mbrojtur njëri-tjetrin. Nëse kjo pupël pikon gjak, do të dimë se njëri prej nesh është në hall, dhe do të vijmë për ndihmë .

Kështu, vëllezërit filluan jetën në fshatin e vogël dhe ishin shumë të lumtur. Deti u bë i pari i fshatit dhe Ylli gjeti një grua të bukur. Të tre vëllezërit ndonjëherë ishin të detyruar të mbronin tokat kundër mbretërive fqinje, por luftuan si një i vetëm dhe gjithmonë i mundën armiqtë. Kjo është fuqia e miqësisë, besnikërisë dhe vëllazërisë.