Gjysma Gjeli
A free resource from
KidsOut - the fun and happiness charity
This story is available in:
This story is available in:

An Albanian Story

*
Na ishte një herë, një plak dhe një plakë. Gjithçka që kishin në këtë botë ishte një mace dhe një gjel.
Ata ishin shumë të varfër dhe shumë të uritur, dhe u grindën keqas me njëri-tjetrin e vendosën që të ndaheshin përgjithmonë.
Plaka mori macen, ndërsa plaku mori gjelin.
Macja kapte zogj të vegjël dhe plaka i piqte zogjtë, e kështu kishte diçka për të ngrënë.
Por plaku i gjorë nuk kishte asgjë për të ngrënë.
Kaloi një farë kohe dhe një ditë ai shkon te gjeli dhe i thotë, “Më vjen keq or mik... nuk kam ç’bëj, do të të ndaj në gjysmë dhe do të ha gjysmën tënde”.
Dhe gjeli pranoi.
Plaku e ndau gjelin në gjysmë dhe që nga ajo ditë u quajt Gjysmagjel.
Gjysmagjeli jetoi me plakun, por pas ca kohësh mendoi, “Duhet të shkoj për kësmet që të fitoj para”.
Prandaj Gjysmagjeli u nis duke kërcyer me një këmbë në rrugë për të shkuar për kësmet.
Rrugës takon një bretkosë që rrinte në një pellg:
“Kuak... ku po shkon... kuak?’
“Kam dalë në botë për kësmet”.
“Gjysmagjel o Gjysmagjel,
më merr mua në bark,
kur të kërkosh ndihmë
do të dal me vrap”.
“Eja bretkosë, hyr në barkun tim”.
Dhe bretkosa kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë derisa takohet me një dhelpër:
“Ku po shkon?”
“Kam dalë në botë për kësmet”.
“Gjysmagjel o Gjysmagjel,
më merr mua në bark,
kur të kërkosh ndihmë
do të dal me vrap”.
“Eja dhelpër, hyr në barkun tim”.
Dhe dhelpra kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë derisa takohet me një ujk:
“Ku po shkon?”
“Kam dalë në botë për kësmet”.
“Gjysmagjel o Gjysmagjel,
më merr mua në bark,
kur të kërkosh ndihmë
do të dal me vrap”.
“Eja ujk, hyr në barkun tim”.
Dhe ujku kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë derisa takohet me një mi të vogël:
“Ku po shkon?”
“Kam dalë në botë për kësmet”.
“Gjysmagjel o Gjysmagjel,
më merr mua në bark,
kur të kërkosh ndihmë
do të dal me vrap”.
“Eja mi, hyr në barkun tim”.
Dhe miu kërceu në barkun e Gjysmagjelit dhe ai vazhdoi rrugën duke u hedhur me një këmbë.
Por tani barku i ishte mbushur plot dhe Gjysmagjeli hyri në kopshtet e pallatit të mbretit. Dhe atje në kopshtin e mbjellë me lakra, ai filloi të këndojë ashtu si di të këndojë vetëm një gjysmagjel.
Mbreti doli me vrap. “Ç’është gjithë kjo zhurmë? Kapeni atë gjel!”
Rojet e mbretit dolën të kërkojnë gjelin në kopshtin me lakra. Dhe i prenë të gjitha kokat e lakrave derisa erdhën tek e fundit. Dhe aty, brenda në lakër, gjetën Gjysmagjelin.
“Kapeni dhe piqeni atë gjysmagjel!” tha mbreti.
Kështu ata e kapën Gjysmagjelin dhe e futën në furrë. “Më shpëto” tha Gjysmagjeli.
Bretkosa doli nga barku i tij dhe i gjithë uji që kishte gëlltitur nga pellgu vërshoi mbi zjarr dhe fiku flakët.
“Epo mirë”, tha mbreti, “Hidheni te patat që ta çukisin me sqep gjysmagjelin e të ngordhë!”
Dhe rojet e hodhën në mes të patave. Dhe patat u bënë gati ta çukisin me sqep. Sapo filluan ta çukisin, Gjysmagjeli tha “Më shpëto!”
Dhe del nga barku i tij dhelpra dhe dhelpra i hëngri të gjitha patat.
“Epo mirë,” tha mbreti. “Futeni në stallë, le ta shkelin me këmbë kuajt e mi dhe të ngordhë!”
Kështu, rojet e mbretit e hodhën Gjysmagjelin në stallë dhe mbyllën derën e stallës me shul, dhe kuajt u ngritën në dy këmbët e pasme
duke kërcyer lart, gati për ta shkelur Gjysmagjelin... “Më shpëto!" tha ai.
Dhe nga barku i tij doli ujku, i cili i vrau të gjithë kuajt e mbretit.
“Epo mirë,” tha mbreti. “Futeni dhe kyçeni mirë në arkën e thesarit tim!”
Kështu, rojet hapën arkën e thesarit të mbretit dhe e futën Gjysmagjelin brenda dhe e kyçën mirë.
Arka e thesarit ishte plot me monedha floriri, dhe Gjysmagjeli i hëngri një nga një derisa të gjitha i futi në bark... “Më shpëto” tha Gjysmagjeli!”
Dhe nga barku i tij doli miu dhe miu brejti një vrimë në anë të arkës së thesarit.
Dhe nga vrima Gjysmagjeli doli jashtë me të gjitha monedhat e floririt në bark, dhe duke kërcyer mori rrugën për t’u kthyer te plaku. Ndërsa Gjysmagjeli kërcente rrugës, dhe rojet e mbretit e ndiqnin pas (por nuk ishin aq të shpejtë sa ta kapnin), një monedhë floriri i del nga sqepi dhe i bie në rrugë.
Dhe duke kërcyer në një këmbë, kthehet te plaku.
“Unë do jetoj këtu me ty”, i tha Gjysmagjeli. “Por duhet të më ushqesh mirë dhe të më japësh një vend të butë ku të fle gjumë. Mos harro të më godasësh me shkop çdo ditë”.
Plaku e goditi Gjysmagjelin me shkop, dhe nga sqepi i doli një monedhë floriri.
Plaku, mori monedhën dhe bleu plot ushqim për të ngrënë e i teproi.
Ditën tjetër, ai e goditi sërish Gjysmagjelin me shkop, dhe prapë doli një monedhë tjetër, edhe ditën tjetër një monedhë tjetër; çdo ditë nga një monedhë floriri.
Plaka kur e mori vesh se plaku ishte bërë i pasur me gjithë ato monedha floriri, u bë xheloze dhe dërgoi macen të gjente edhe ajo monedha floriri.
Dhe macja u nis për rrugë, dhe mbërriti aty ku kishte rënë monedha e floririt nga sqepi i Gjysmagjelit. Dhe macja e hëngri monedhën dhe vazhdoi rrugën.
Por, pas kësaj nuk gjeti më monedha floriri, prandaj filloi të gëlltisë gjëra të tjera.
Dhe kur macja u kthye te plaka, ajo mori shkopin dhe e goditi macen. Dhe ja, nga goja i doli një monedhë floriri.
Plaka u gëzua... por vetëm për një ditë.
Ditën tjetër, kur goditi macen, nga goja i doli një hardhucë.
Dhe ditën tjetër, kur e goditi, nga goja i doli një mi.
Dhe ditën e tretë, nga goja i doli një gjarpër.
Plaka u inatos aq shumë, sa e rrahu macen derisa ngordhi, edhe ajo vetë vdiq nga inati.
Dhe kështu, Gjysmagjeli dhe plaku jetuan të ngopur e të kënaqur gjithë ditët e jetës.
Enjoyed this story?