Një histori norvegjeze

*
Njëherë e një kohë, na ishin tre cjeptë Gruf: Cjapi i vogël, Cjapi i mesëm dhe Cjapi i madh gjigant, të cilët jetonin në një fushë pranë një lugine të gjelbër.
Tre cjepve u pëlqente shumë bari i gjelbër, por fatkeqësisht fusha e tyre tani ishte ngjyrëkafe dhe joprodhuese, sepse ishin lakmitarë dhe kishin ngrënë edhe fijen e fundit të barit.
Ata ishin ende të uritur.
Nga larg, tre cjeptë shihnin një fushë plot me bar të njomë të rritur, por, për fat të keq, kishte vetëm një rrugë për të shkuar atje – të kalonin mbi një urë të prishur mbi përrua.
Por nën urë jetonte një troll jashtëzakonisht i tmerrshëm i quajtur Trevor - edhe ai ishte gjithmonë i uritur. Asgjë nuk i pëlqente më shumë sesa të hante një cjap të shijshëm.
Cjapi i vogël arriti i pari tek ura. Me kujdes, ai vuri mbi urë njërën thundër dhe, më pas, tjetrën.
Duke qenë se ura ishte shumë e shkatërruar, sado që u përpoq cjapi i vogël, thundra e tij përsëri zhurmoi tak-tak, tak-tak në dërrasat e drurit.
Papritur u dëgjua një zhurmë e madhe.

“Kush bën tak-tak mbi urën time?”
Dhe poshtë urës u shfaq Trolli.
Me thundrat që i dridheshin, Cjapi i vogël Gruf mundi të thoshte: “Jam unë vetëm. Po kërkoj vetëm pak bar për ta ngrënë”.
“Oh, jo, nuk do të kërkosh! Do të të ha për mëngjes, drekë dhe darkë!”
“Oh, jo! - tha i tmerruar Cjapi i vogël Gruf. - Jam thjesht Cjapi i vogël Gruf. Pse nuk pret vëllain tim? Ai është më i madh se unë dhe shumë më i shijshëm.”
*
Kështu, Trolli i pangopur vendosi të priste. Cjapi i vogël Gruf kaloi urën dhe filloi të hante barin e gjelbër të njomë në anën tjetër.
Cjeptë e tjerë panë Cjapin e vogël Gruf duke ngrënë barin e gjelbër të njomë dhe u bënë ziliqarë, sepse edhe ata donin të njëjtën gjë.
Kështu, Cjapi i mesëm Gruf zbriti tek ura dhe provoi ta kalonte atë.
Tak, tak, tak, tak godisnin thundrat e tij në dërrasat e urës. Trolli doli përsëri nga poshtë urës.
“Kush bën tak-tak mbi urën time?” - bërtiti ai.

Me thundrat që i dridheshin, Cjapi i mesëm Gruf arriti të thoshte me zërin e tij më të butë:
“Jam vetëm unë. Po ndjek vëllain tim, Cjapin e vogël Gruf, që të mund të ha barin e ëmbël”.
“Oh, jo, nuk të lë ta ndjekësh! Do të të ha për mëngjes, drekë dhe darkë!"
“Oh, jo, zoti Troll, mos më ha. Nuk jam aq i madh sa të të ngop. Prit sa të vijë vëllai im i madh - ai është shumë më i shijshëm se unë.”
“Oh, në rregull”, - tha Trolli. Cjapi i mesëm Gruf kaloi shpejt urën dhe filloi të hante barin e gjelbër të ëmbël bashkë me vëllain e tij të vogël Gruf.

Cjapi i madh Gruf i guximshëm e ziliqar mezi priste të kalonte urën dhe të bashkohej me dy vëllezërit e tij.
Me guxim, ai vuri thundrat e tij mbi urë.
Tak, tak, tak, tak.
Papritur, Trolli doli nga poshtë urës.
“Kush bën tak-tak mbi urën time?” - ulëriti ai.
“Jam unë. Cjapi i madh Gruf. Cili je ti?”
“Unë jam Trolli dhe do të të ha për mëngjes, drekë dhe darkë!”
“Oh, jo, ti nuk do të më hash!”
"Po, do të të ha - do ta shohësh!”
Në atë kohë, Trolli u vërsul drejt Cjapit të madh Gruf, i cili uli kokën dhe me guxim sulmoi Trollin, duke e kapur nga brirët dhe e hodhi poshtë në rrjedhën e ujit.
Trolli u zhduk në ujin e rrëmbyeshëm për të mos u parë më.
Që atëherë, kushdo mund të kalonte urën dhe të shijonte barin e gjelbër të njomë me tre cjeptë Gruf.
Enjoyed this story?