*
Një dimër, kur flokët e borës binin si pupla nga qielli, një mbretëreshë dëshironte të kishte një vajzë. Jo shumë kohë më pas, dëshira e saj u realizua. Fëmija u quajt Borëbardha, sepse lëkura e saj ishte e bardhë si bora. Faqet e saj ishin të kuqe si gjaku. Flokët i kishte të zinj si abanoz.
Jo shumë kohë pas lindjes, Borëbardhës i vdiq nëna.
Pas një viti, mbreti i atij vendi u martua përsëri. Mbretëresha e re ishte shumë e bukur. Ajo kishte një pasqyrë magjike. Kur shihte reflektimin e vet në të, ajo thoshte:
“Pasqyrë, moj pasqyrë,
Kush është më e bukura në botë?”
Pasqyra iu përgjigj:
“Ti je më e bukura.”
Atëherë, mbretëresha u lumturua. Ajo e dinte që pasqyra thoshte gjithmonë të vërtetën.
Megjithatë, dita ditës, Borëbardha rritej nga pak. Ajo ishte një fëmijë i pashëm dhe u bë e bukur. Princesha u bë më e bukur se mbretëresha.
Kështu, një ditë, kur mbretëresha i bëri pyetjen pasqyrës, ajo iu përgjigj:
“Zonja ime, është e vërtetë që jeni e bukur,
por Borëbardha është më e bukur.”
Mbretëresha u zbeh në fytyrë. Që nga ai çast, ajo e urrente Borëbardhën sa më s’ka. Çdo ditë tërbohej edhe më shumë. Të jesh xheloz për dikë, është si t’u bësh barërave të këqija një shtëpi në zemrën tënde. Në fund, ato forcohen shumë dhe të mbytin.
Mbretëresha nuk duronte më ta shihte Borëbardhën çdo ditë. Kështu, ajo urdhëroi gjuetarin e saj të bënte diçka të tmerrshme.
“Nxirre Borëbardhën në pyll. Nuk dua ta shoh më fytyrën e saj. Duhet ta vrasësh. Më kthe mushkëritë dhe mëlçinë e saj, për të më vërtetuar se ka vdekur.”
Gjuetari u përpoq të bënte siç i tha mbretëresha. Ai e çoi Borëbardhën në pyll dhe nxori thikën për ta vrarë.
Borëbardha bërtiti: “Oh! Të lutem, mos më vrit. Të premtoj se, nëse më lë të iki, do të vrapoj nëpër pyll dhe nuk do të kthehem më në shtëpi.”.
“Epo, vrapo atëherë”, - i tha ai, duke i ardhur keq për të. Iu lehtësua zemra pasi nuk bëri gjënë e tmerrshme.
Kur gjuetari po largohej nga pylli, një derr i vogël vrapoi pranë tij. Ai e qëlloi dhe ia çoi mushkëritë dhe mëlçinë mbretëreshës për të vërtetuar se Borëbardha kishte vdekur. Mbretëresha e ligë i zjeu dhe i hëngri. Ajo mendonte se i kishte dhënë lamtumirën Borëbardhës.
Kur Borëbardha mbeti e vetme në pyll, vetë pemët rreth saj dukej se merrnin forma të çuditshme. Ajo u ndie aq e frikësuar sa nuk dinte çfarë të bënte. Nga paniku, filloi të vraponte mbi gurët e mprehtë dhe nëpër shkurre.
Kafshët e egra të pyllit kalonin pranë saj, por nuk i bënin gjë. Borëbardha vrapoi nëpër pyll aq larg dhe aq shpejt sa i mbanin këmbët. Kur qielli u errësua, ajo pa një shtëpi të vogël dhe u fut brenda.
Gjithçka brenda ishte e vogël. Kishte një tavolinë me shtatë pjata të vogla, secila me pirunin e saj të vogël, thikën dhe lugën. Kishte shtatë gota të vogla. Kishte madje shtatë shtretër të vegjël pranë murit.
Borëbardha ishte aq e uritur dhe e etur sa hëngri pak ushqim nga çdo pjatë dhe piu një pikë nga çdo gotë. Pastaj u shtri në një nga shtretërit dhe e zuri gjumi.
Kur u errësua shumë, të zotët e shtëpisë së vogël u kthyen në shtëpi. Xhuxhët ishin shtatë xhuxhë dhe kishin qenë jashtë për të punuar fort gjatë gjithë ditës. Ata punonin në minierat që shkonin thellë në zemër të malit.
Xhuxhët ndezën shtatë llamba dhe panë nëpër dhomë. Ata e kuptuan se dikush kishte hyrë në shtëpinë e tyre.
I pari tha: “Kush është ulur në karrigen time?”
I dyti tha: “Kush e ka ngrënë bukën time?”
I treti tha: “Kush e ka ngrënë qullin tim?”
I katërti tha: “Kush i ka ngrënë perimet e mia?”
I pesti tha: “Kush e ka përdorur pirunin tim?”
I gjashti tha: “Kush ka prerë me thikën time?”
I shtati tha: “Kush ka pirë nga gota ime?”
Pastaj xhuxhi i parë vështroi përreth. Kur u ngjit në shtratin e tij, gjeti Borëbardhën në gjumë të thellë. Ai thirri të tjerët, të cilët u mblodhën duke klithur nga befasia.
“Oh! - thirrën ata. - Sa vajzë e bukur!”
Xhuxhët nuk e zgjuan Borëbardhën, por e lanë të flinte gjithë natën në shtratin e vogël.
Kur zbardhi dita, Borëbardha u zgjua. Në fillim, ajo u tremb kur pa shtatë xhuxhët, por ata ishin shumë miqësorë. E pyetën si quhej. “Borëbardha”, - u përgjigj ajo.
“Pse ke ardhur në shtëpinë tonë?” - pyetën xhuxhët.
Borëbardha u tha se njerka e saj, mbretëresha, e kishte çuar në pyll për ta vrarë. U shpjegoi se si gjuetari e kishte lënë të ikte dhe se ajo kishte vrapuar nëpër pyll përpara se të gjente shtëpinë e tyre.
Xhuxhët ranë dakord ta linin të qëndronte me ta. Në këmbim, Borëbardha tha se do të gatuante dhe do të pastronte shtëpinë e tyre të vogël.
Kështu, Borëbardha filloi jetën e saj të re në pyll. Çdo mëngjes, xhuxhët shkonin në mal për të gërmuar për ar. Kur ktheheshin në shtëpi në mbrëmje, Borëbardha u kishte përgatitur darkën.
Gjatë gjithë ditës, vajza rrinte vetëm, prandaj xhuxhët e paralajmëruan duke i thënë: “Kujdes nga njerka. Shumë shpejt, ajo do ta zbulojë se je këtu. Çfarëdo që të bësh, mos lejo askënd të hyjë në shtëpi”.
Tani, mbretëresha mendonte se kishte ngrënë mushkëritë dhe mëlçinë e Borëbardhës. Asaj nuk ia merrte asnjëherë mendja që sërish ajo nuk ishte gruaja më e bukur në botë. Kështu, u pa në pasqyrën e saj një ditë dhe tha:
“Pasqyrë, moj pasqyrë,
Kush është më e bukura në botë?”
Pasqyra iu përgjigj:
“Zonja ime, është e vërtetë që ti je e bukur,
Por Borëbardha është më e bukur se ti.
Mbi kodra, me shtatë burra të vegjël,
Jeton Borëbardha, sërish më e bukura.”
Mbretëresha u tmerrua. Ajo kuptoi se gjuetari e kishte gënjyer dhe se Borëbardha ishte gjallë. Pasqyra magjike thoshte gjithmonë të vërtetën.
Mbretëresha e ligë vriste mendjen ditë e natë si ta shkatërronte Borëbardhën. Zemra e saj xheloze nuk gjente qetësi, ngaqë dikush tjetër ishte më e bukur.
Pasi planifikoi se çfarë do të bënte, mori një krehër dhe e helmoi duke bërë magji të zezë. Mbretëresha leu fytyrën dhe u vesh si një grua e moshuar. U maskua aq i mirë sa askush nuk mund ta njihte. Kështu, mbretëresha e ligë mori rrugën për atje ku jetonte Borëbardha me xhuxhët. Arriti dhe trokiti në derë.
Borëbardha pa nga dritarja.
“Mirëmëngjesi! - thirri ajo. - Më fal. Nuk mund të të lë të hysh brenda”.
“Por a mund të shohësh jashtë?” - i tha gruaja e moshuar dhe ngriti krehrin e bukur që ta shihte vajza.
Borëbardhës i pëlqeu aq shumë krehri saqë u gënjye. Ajo hapi derën.
“Eja këtu, e dashur. Do të të kreh flokët siç duhet”, - tha gruaja e moshuar.
Borëbardha nuk e kuptoi se po rrezikonte veten. Sapo krehri i preku flokët, helmi e bëri punën e vet. Asaj i ra të fikët.
“Tani more fund”, - buzëqeshi mbretëresha e ligë dhe u kthye në shtëpi shpejt e shpejt.
Për fat të mirë, ishte buzëmbrëmje. Nuk kaloi shumë dhe shtatë xhuxhët u kthyen në shtëpi. Kur panë Borëbardhën të shtrirë në tokë, kuptuan se kishte gisht njerka e saj e ligë.
Ata kërkuan derisa gjetën krehrin helmues. Sapo ia hoqën nga flokët Borëbardhës, vajza u zgjua. Ajo u tregoi çfarë kishte ndodhur. Xhuxhët e paralajmëruan përsëri që të kujdesej dhe të mos ia hapte derën askujt.
Sapo u kthye në shtëpi, mbretëresha shkoi te pasqyra e saj dhe pyeti:
“Pasqyrë, moj pasqyrë,
Kush është më e bukura në botë?”
Pasqyra iu përgjigj:
“Zonja ime, është e vërtetë që jeni e bukur,
Por Borëbardha është më e bukur.
Mbi kodra, me shtatë burra të vegjël,
Jeton Borëbardha, sërish më e bukura.”
Kur dëgjoi këto fjalë, mbretëresha u drodh nga inati. Ajo e kuptoi që Borëbardha ia kishte hedhur sërish.
“Borëbardha do të vdesë! - bërtiti ajo. - Edhe sikur të më kushtojë jetën!”
Pastaj ajo shkoi në një dhomë sekrete dhe përdori magjinë e saj për të bërë një mollë helmuese. Molla dukej e bukur, me faqe të bukura të bardha dhe të kuqe. Kushdo që do ta shihte, do të donte ta hante, por kushdo që do ta hante, do të vdiste në vend.
Mbretëresha u maskua përsëri. Eci nëpër pyll sa arriti te shtëpia e vogël e shtatë xhuxhëve dhe trokiti në derë.
Borëbardha vështroi nga dritarja.
“Mirëmëngjesi! – i foli ajo. - Më vjen keq. Nuk mund të të lë të hysh brenda.”
“Kam një mollë të bukur për ty, e dashura ime”, - tha plaka.
“Jo, - kundërshtoi Borëbardha. - Nuk e dua”.
“Vajzë budallaqe! - u përgjigj mbretëresha. - Pse frikësohesh? Mendon se është e helmuar? Shiko, do ta pres mollën përgjysmë. Unë do të ha pjesën e bardhë, kurse ti mund të hash të kuqen.”
Molla ishte bërë që njëra anë të ishte për t’u ngrënë, edhe pse ana tjetër ishte e helmuar.
Borëbardha u tundua shumë. Molla dukej shumë e bukur. Kur pa plakën që hante gjysmën e mollës, nuk mundi ta mbante veten. E kafshoi një herë dhe ra në dysheme.
“E bardhë si bora, e kuqe si gjaku dhe e zezë si abanoz. Këtë herë, asgjë nuk do të të shpëtojë”, - qeshi mbretëresha. Sytë e saj të errët shkëlqyen nga gëzimi. Ajo vrapoi në shtëpi te pasqyra e saj, e cila, më në fund, tha:
“Ti je më e bukura në botë.”
Më në fund, zemra e ligë e mbretëreshës u lumturua. Të paktën, ishte aq e lumtur sa mund të jetë një zemër e tillë e ligë.
Kur xhuxhët u kthyen në shtëpi në mbrëmje, gjetën Borëbardhën të shtrirë pa frymë në dysheme. E ngritën dhe kërkuan kudo për të parë nëse mund të gjenin ndonjë gjë helmuese. Ata bënë gjithçka që u shkoi në mendje, por Borëbardha e vdekur nuk po ngjallej.
Të shtatë xhuxhët qanë së bashku për tri ditë të tëra. Në fund, ata vendosën ta varrosnin Borëbardhën, por ajo dukej aq e bukur edhe e vdekur, saqë thanë:
“Nuk mund ta varrosim në dheun e ftohtë.”
Bënë një arkivol prej xhami dhe e vunë në të. Ata shkruan në kapak me shkronja të arta se ajo ishte një princeshë. Pastaj xhuxhët e vendosën arkivolin në majë të malit. Njëri prej tyre qëndronte gjithmonë pranë saj dhe ruante Borëbardhën.
Edhe zogjtë erdhën për të shprehur pikëllimin e tyre që Borëbardha kishte vdekur. Fillimisht erdhi një buf, më pas një korb dhe në fund një pëllumb i vogël.
Borëbardha qëndroi shtrirë në arkivol për një kohë të gjatë. Ajo dukej gjithmonë njësoj, sikur të ishte duke fjetur. Lëkura e saj mbeti e bardhë si bora. Faqet e saj ishin të kuqe si gjaku. Flokët e saj ishin të zinj si abanoz.
Një ditë, në mal erdhi një princ. Ai pa arkivolin me Borëbardhën brenda. Pasi lexoi atë që ishte shkruar me shkronja të arta, i tha xhuxhit:
“Më jep arkivolin. Do të të jap gjithçka në këmbim.”
“Jo, - tha xhuxhi. - Ne nuk ndahemi nga Borëbardha as për të gjithë arin e botës.”
“Epo, atëherë, - u përgjigj princi, - të lutem ma jep, sepse nuk mund të jetoj pa Borëbardhën. Do ta dua më shumë se çdo gjë.”
Princi foli aq i trishtuar, saqë xhuxhët ndien keqardhje për të. Ia dhanë arkivolin. Princi u kërkoi shërbëtorëve të tij që ta mbanin mbi supe.
Në një çast, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Ndërsa shërbëtorët po zbrisnin nga mali, u penguan. Arkivoli u trondit aq shumë sa kafshata e mollës helmuese doli nga fyti i Borëbardhës. Ajo pulsoi pak sytë dhe më pas i hapi.
Borëbardha hoqi kapakun e arkivolit dhe u ngrit e gjallë dhe mirë.
“Oh! Ku jam?” - bërtiti ajo.
Princi u mbush me gëzim.
“Ti je me mua”, - i foli dhe i tregoi gjithçka që kishte ndodhur. Më pas i tha: “Të dua më shumë se kushdo në botë. Do të vish me mua dhe a do të bëhesh gruaja ime?”
Borëbardha pranoi dhe iku me princin.
Ata u martuan jo shumë kohë pas kësaj. Dasma e tyre ishte madhështore.
Tani, njerka e ligë e Borëbardhës ishte një nga të ftuarit në ceremoninë e martesës. U vesh bukur për këtë rast, shkoi te pasqyra e saj dhe e pyeti:
“Pasqyrë, moj pasqyrë,
Kush është më e bukura në botë?”
Pasqyra iu përgjigj:
“Zonja ime, është e vërtetë që jeni e bukur,
por nusja është më e bukur.”
Kur e dëgjoi këtë, gruaja e ligë u tërbua. Zemra e saj xheloze i rrihte në kraharor dhe e dinte se nuk do të ishte asnjëherë e lumtur derisa të shihte mbretëreshën e re.
Kur arriti në festë, pa që nusja ishte Borëbardha. Vajza që ajo kishte vrarë, nuk kishte vdekur. Mbretëreshën e ligë e mbyti tërbimi; ajo mori një ngjyrë tepër të purpurt dhe më pas ra e vdekur në tokë.
Borëbardha dhe princi i saj mbretëruan të lumtur për shumë vite. Ndonjëherë, ata ngjiteshin në mal dhe vizitonin xhuxhët. Ata i kujtonin gjithmonë miqtë që ishin treguar kaq të sjellshëm me Borëbardhën kur kishte nevojë.
Enjoyed this story?