KidsOut World Stories

Robin Hud Mary Smith    
Previous page
Next page

Robin Hud

A free resource from

Begin reading

This story is available in:

 

 

 

 

Robin Hud

Përrallë tradicionale angleze

 

 

Mbi shtatëqind vjet më parë ishte një djalosh i quajtur Robert nga Loksli. Shokët e quanin Robin.

Robini jetonte me nënën e tij në Loksli Manor, kurse babai i tij ishte ushtar dhe luftonte jashtë shtetit. Lufta ishte në një vend ku mbreti Riçard Zemërluani po luftonte me një armik.

Ndërsa ishte jashtë shtetit në luftë, mbreti Riçard la vëllain e tij më të vogël që të sundonte në Angli. Vëllai i Riçardit quhej Xhon, por nuk ishte njeri i mirë, në fakt, ishte shumë lakmitar. Xhoni donte të kishte më shumë tokë dhe më shumë ferma se Riçardi. Kështu, ndërsa pronarët e tokave, si babai i Robinit, ishin larguar jashtë shtetit me mbretin, princi lakmitar Xhon ua rrëmbeu pasuritë dhe tokat.

Një ditë, princi Xhon dërgoi njerëzit e tij për të vjedhur Loksli Manorin. Robini, nëna e tij dhe të gjithë punëtorët e tyre arritën të arratiseshin. Robini e mori nënën e tij të jetonte e sigurt me prindërit e saj.

Robini u zemërua shumë që shtëpia dhe toka e babait të tij u rrëmbyen, kështu që u zotua se do të merrej vetë me burrin lakmitar. U trishtua që la të dashurën e tij, Marianën, e cila jetonte aty pranë. Ai u fsheh pranë Notinghamit dhe jetoi thellë në pyllin Sherud.

Burra të tjerë iu bashkuan Robinit dhe u bënë shpejt një grup miqsh që u fshehën të gjithë së bashku. Ata njiheshin si Burrat e Gëzuar dhe vishnin rroba me ngjyrë të gjelbër, që të mund të fshiheshin në gjelbërimin e pyllit.

Të gjithë ishin të veshur me rroba të gjelbra, përveç shokut të Robinit, Uillit. Ai mbante rroba të kuqe dhe, kur fshihej, dukej si gjethe vjeshte. Robini e quajti atë “Uill Skarlet” nga rrobat e tij të kuqe. Uilli e quajti Robinin “Robin Hud”, sepse xhaketa e tij kishte një kapuç në pjesën e pasme.

Të gjithë burrat që iu bashkuan Robinit, ishin harkëtarë të shkëlqyer – ata mund të gjuanin me shigjetë drejt në mënyrë të përsosur dhe të godisnin një objektiv të largët pikërisht në qendër.

Sa herë që ndonjë nga njerëzit lakmitarë të princit Xhon kalonte përgjatë rrugës pranë pyllit Sherud, Robin Hudi dhe Burrat e Gëzuar dilnin nga streha dhe e kapnin.

“Eja për një vakt te ne”, - i thoshin ata dhe i ofronin një vakt të shijshëm. Në fund të vaktit, Robin Hudi i kërkonte burrit të paguante për ushqimin. Më pas, njerëzit e Robinit ia merrnin arin dhe argjendin nga çantat, përpara se ta linin përsëri në rrugën e tij.

Sherifi i Notinghamit u zemërua shumë për grabitjet që po ndodhnin në pyllin e tij, por asnjëherë nuk mundi t’i gjente Robin Hudin dhe Burrat e Gëzuar, sepse fshiheshin shumë mirë.

Robini dhe njerëzit e tij nuk mbajtën asnjë qindarkë nga thesari që mblodhën prej njerëzve lakmitarë. Në vend të kësaj, ata e ndanë atë me të gjithë njerëzit më të varfër që njihnin - njerëz që kishin humbur gjithçka kur princi lakmitar dhe njerëzit e tij i vodhën.

Me kalimin e kohës, edhe burra të tjerë donin të bashkoheshin me Robin Hudin dhe të luftonin për drejtësi. Një nga këta burra ishte Xhoni i vogël. Ai ishte pak më shumë se dy metra i gjatë dhe mund të luftonte në mënyrë të shkëlqyer me një shtizë të gjatë.

“Emri yt duhet të jetë Xhoni i Madh, sepse je shumë i gjatë, - qeshi Robin Hudi. - Do të të quaj Xhoni i Vogël për shaka!”. Edhe të gjithë të tjerët e quanin Xhoni i Vogël.

Një tjetër që iu bashkua Burrave të Gëzuar, ishte Alan A’Dale. Ai ishte artist, kështu që luante muzikë dhe këndonte për të argëtuar Robinin dhe njerëzit e tij.

Një ditë, murgu Friar Tak shkoi në pyllin Sherud për të kërkuar Robinin nga Loksli. Me të ishte dhe një grua e re.

“Mariana!” - bërtiti Robini kur i pa.

Murgu Friar Tak shpjegoi:

“Babai i Marianës donte që vajza e tij të martohej me një plak të pasur. Por Marianës iu mbushën sytë me lot dhe nuk pranoi të martohej me atë burrë, sepse donte një tjetër. Dashuria e saj e vërtetë është Robini nga Loksli. E dija që Robini fshihej në pyllin Sherud, kështu që e shpëtova Marianën dhe e solla këtu që të martohet me dashurinë e saj të vërtetë.”.

Mariana dhe Robini u përqafuan të gëzuar. Friar Tak dhe Mariana iu bashkuan grupit të Burrave të Gëzuar.

Fatkeqësisht, një ditë Robin Hudit i erdhi një lajm i tmerrshëm:

“Mbreti Riçard është kapur në një vend të largët. Rrëmbyesi e liron mbretin vetëm nëse paguhet një shpërblim në ar dhe argjend, - tha lajmëtari, - por princi Xhon lajmëroi se nuk do të paguajë asnjë qindarkë bronzi për të shpëtuar vëllain e tij dhe, me siguri, nuk do të paguajë as ar apo argjend për lirinë e vëllait të tij.”

“Kjo pasi ai dëshiron të jetë vetë mbreti i Anglisë!” - bërtiti Robin Hudi me neveri.

Megjithatë, Burrat e Gëzuar patën një ide të shkëlqyer. “Të gjithë të varfërve që njohim, u kemi dhënë mjaftueshëm para për gjithçka që u nevojitet, kështu që me paratë që kemi ende në arkën tonë të thesarit, mund të blejmë lirinë e mbretit Riçard.”.

Kështu, pa i thënë princit Xhon për planin e tyre, Robini dhe njerëzit e tij paguan shpërblimin në ar dhe argjend.

Disa javë më vonë, një kalorës i panjohur hyri në pyllin Sherud. Ai ishte i veshur i gjithi në të zeza dhe thoshte se po kërkonte Robin Hudin.

“Kush je ti?” - e pyeti Robini.

“Unë jam kalorësi i zi”, - u përgjigj ai.

Por kur kalorësi hoqi helmetën, Robini e njohu burrin.

“Mbreti Riçard!” - thirri ai. Robini u përkul për të nderuar mbretin e tij. Edhe Burrat e Gëzuar dhe Virgjëresha Mariana u përkulën.

“Kam ardhur t’ju falënderoj për pagesën e shpërblimit që më dha lirinë, - tha mbreti. - Kam dëgjuar se si vëllai im, Xhoni, nuk arriti të sundonte me drejtësi në mbretërinë time. Kam dëgjuar për lakminë e tij dhe e di se ka rrëmbyer e vjedhur tokat dhe shtëpitë e njerëzve. Unë do ta ndëshkoj, por të gjithë juve që keni humbur shtëpitë dhe tokat, unë do t’jua kthej që ju dhe familjet tuaja të jetoni përsëri atje.”

Robini, Mariana dhe Burrat e Gëzuar i premtuan besnikëri mbretit të tyre, sovranit që quhej Riçard Zemërluani.

Historia se si Robini dhe Burrat e Gëzuar ishin besnikë ndaj mbretit të tyre, u tregua dhe u përcoll brez pas brezi. Kështu, shtatë shekuj më vonë, ne ende e tregojmë historinë e Robinit nga Loksli Manor.

Enjoyed this story?
Find out more here