KidsOut World Stories

Aharsi: Tigri i Bengalit Abbey Ledger-Lomas    
Previous page
Next page

Aharsi: Tigri i Bengalit

A free resource from

Begin reading

This story is available in:

 

 

 

 

Aharsi: Tigri i Bengalit

Një histori bengale

 

 

 

 

 

*

Aharsi, tigri i madh i Bengalit, po mendohej e stërmendohej. Ishte dimër dhe ai ende po mësohej me ndjesinë e akullit në putrat e tij. Ai u drodh pak, i mungonte rrjedhja e ngrohtë e baltës së mangrove.

Aharsit i mungonin shumë gjëra. I mungonte mënyra se si dielli shkëlqente pallton e tij në ngjyrë portokalli mbretërore, ose se si shkëlqimi i mesditës i bënte vijat e tij të zeza të dukeshin aq të forta dhe goditëse si rrufe të zeza. I mungonte dremitja në vapën e mbrëmjes dhe kapja e rrezeve të fundit të diellit teksa kalonin nëpër hardhitë e xhunglës. Pyeti veten nëse do të dëgjonte përsëri zogjtë bishtlëkundës që cicërojnë nëpër pemë, apo nëse do të nuhaste aromën e mangove të pjekura. Ishin këto çaste kalimtare, prekëse, që tigri i Bengalit po përpiqej t’i imagjinonte aq shumë në mendjen e tij. Aharsin e kishte marrë malli për shtëpinë e tij.

Mustaqet i kërcyen ndërsa lëshoi një psherëtimë të madhe, duke bërë që zogjtë yje, që po çukisnin tokën e ngrirë, të shpërndaheshin lart në qiellin gri.

Kishin kaluar tri orë dhe, edhe pse u mendua shumë, tigri kishte arritur të kujtonte vetëm disa gjysmë imazhe të paqarta mangosh dhe mangrovesh. Ai shqetësohej se po e harronte fare shtëpinë e tij të vjetër.

Kur Aharsi mbërriti për herë të parë në kopshtin zoologjik në Angli me nënën dhe babanë e tij, gjithçka ishte tepër emocionuese. Ai i përshkroi të gjitha; sytë e tij qelibar digjeshin nga kureshtja teksa hidhej nga pema në pemë ose kur ndiente aromën e çdo luleje, apo kur prekte me putra çdo insekt të vogël.

“Tani vetëm qetësohu, Aharsi”, - do të thoshte nëna e tij. - Ke bërë shumë. Ka mjaft kohë për të eksploruar; tani duhet të pushosh”.

Por tigri i vogël nuk kishte kohë për të pushuar. Kishte kafshë të reja për të takuar, pemë të reja për të ngjitur. Donte të mësonte shumë për shtëpinë e tij të re. Përpara se të perëndonte dielli atë ditë të parë, Aharsi kishte shkuar rreth e qark të gjitha kafazeve të kafshëve, duke u bërë pyetje pas pyetjesh, duke u tërhequr nga ngjyrat e çuditshme ekzotike të zogjve të parajsës dhe duke nuhatur erën e ëmbël dhe të panjohur të sanës në stallat e rinoqerontëve.

Sa më shumë eksploronte, aq më shumë e kuptonte Aharsi se sa ndryshe ishte shtëpia e tij e re nga vendi prej nga kishte ardhur. Tani tigri i vogël shqetësohej se i kishte humbur të gjitha kujtimet e çmuara që kishte nga atdheu i tij. Ai ishte i shqetësuar se kishte harruar gjithçka nga të qenët tigër i Bengalit.

*

Aharsi shtrëngoi sytë e mbyllur dhe tundi bishtin me qëllim nga njëra anë në tjetrën. “Kujto, - tha ai me vete. - Përpiqu të mendosh më shumë!”

Kaluan orët, dita po errësohej dhe kafshët e tjera filluan të rehatoheshin ndërsa po binte muzgu. Pas pak, Aharsi ndjeu se po e shikonte dikush. Hapi njërin sy, i gatshëm për t’u përqendruar sa më shumë; duke u përpjekur të kujtojë, thjesht duke u përpjekur të kujtojë. Ishte leopardi Zodi.

“Çfarë po bën?” - doli një zë i thellë, fërgëllues.

“Po kujtohem, - u përgjigj Aharsi. – Tani, nëse nuk e ke problem…”. Aharsi mbylli edhe një herë syrin dhe u përpoq të përqendrohej edhe më shumë.

“Po kujtohesh?” - pyeti Zodi.

“Po. Kam harruar gjithçka rreth të qenët një tigër bengali dhe nga kam ardhur, kështu që po përpiqem ta kujtoj para se të më zhduket kujtimi përgjithmonë. Tani, nëse nuk e ke problem…”

Edhe një herë, Aharsi mbylli sytë dhe u përpoq të përfytyronte vendlindjen e tij.

“Nuk do të arrish gjë me sytë mbyllur”, - tha Zodi.

Aharsi hapi sytë e mëdhenj dhe dukej mjaft i mërzitur. “Nuk do të arrij gjë nëse nuk më lë vetëm të mendoj!” - tha ai. - Nuk do ta kuptosh gjithsesi, nuk je as tigër, e lëre më tigër bengali! Ti je leopard!”

“Kafshë budallaqe! - tha Zodi, duke qeshur nën zë. - Shiko atje!”. Ajo bëri me gisht te një copë akulli me shkëlqim dhe të lëmuar në tokën e fortë.

Aharsi i nguli sytë Zodit me njëfarë konfuzioni. “Mendoj se mund të jesh mërzitur pak, Zodi”, - tha ai, dhe pikërisht atëherë, gati sa donte të qeshte.

“Nëse do të kujtosh se si të jesh tigër, - tha Zodi me një zë të sjellshëm, - thjesht shiko!”

“Mirë, nëse më lë të qetë, do të shikoj.”

*

Aharsi përkuli pak qafën dhe shikoi në pasqyrën e xhamit të akullit në tokë. Zodi u përkul mbi shpatullën e tij, duke lëshuar një gërhitje.

“Sa vija të bukura ke, - tha ajo. - Kur shikoj veten në pasqyrë, shoh pikat e mia. Askush tjetër nuk ka pika si të miat.

Nëna ime kishte pika dhe nëna e nënës sime dhe nëna e nënës së nënës sime… që nga koha kur stër-stër-stër-stërgjyshja endej nëpër barin e Afrikës së Jugut!”

Aharsi vuri re se sytë e Zodit po shkëlqenin ndërsa imagjinonte savanën e prekur nga dielli dhe xhunglat e gjelbëruara të shtëpisë së saj. “Kur shoh pikat e mia, - vazhdoi ajo, - unë shoh gjithë historinë time. Dhe unë do t’i kem gjithmonë pikat e mia”. Ajo ia bëri me sy Aharsit. “Në fund të fundit, - tha ajo, - leopardit nuk i ndryshojnë asnjëherë njollat!”

“Por a nuk të merr ndonjëherë malli apo trishtimi? - pyeti tigri i ri me një ngashërim të lehtë. - Gjithçka është kaq ndryshe këtu”.

“Të gjithëve na merr malli, - u përgjigj Zodi duke u përkulur në akull, - por shiko këtu reflektimet tona. Ne nuk jemi shumë ndryshe. Ti je nga Bengali dhe unë nga Afrika, por shiko sesi kemi të njëjtat mustaqe. Dhe shiko këtu…". Zodi preu një vijë mbresëlënëse të dhëmbëzuar në akull me kthetrat e saj të mprehta dhe më pas i ngriti ato që të shkëlqenin në dritën e venitur. “Të dy kemi këto”, - tha ajo duke buzëqeshur.

Pikërisht atëherë u dëgjua një zhurmë e madhe trumbetimi nga rrethimi i elefantëve në cepin lindor të kopshtit zoologjik.

“Epo, kjo nuk është aq e mahnitshme, - tha Aharsi. - Ne jemi të dy mace. Por unë nuk jam aspak si elefantët atje, apo jo?”

Zodi qeshi. “Ata mund të duken ndryshe dhe të tingëllojnë ndryshe, por vë bast që edhe elefantët i merr malli për shtëpinë. Kjo është diçka që e keni të përbashkët.”

Aharsi dukej i pasigurt, pasi mendonte se elefantët ishin shumë të mëdhenj dhe të fortë për të qenë të trishtuar. “Vë bast se ata ende e mbajnë mend nga janë, - tha ai. - Nëna ime më tha se një elefant nuk harron asnjëherë.”

Zodi fërshëlleu, qeshi dhe u rrotullua në tokën e fortë. “Kjo është e vërtetë! - pranoi ajo. - Një elefant nuk harron asnjëherë!"

“Dhe vë bast se zebrat nuk tremben”, - vazhdoi Aharsi, ende pak i zymtë, por duke filluar të buzëqeshë me mashtrimet e mikut të tij.

“A nuk i ke parë të vrapojnë nga traktori i kujdestarit të kopshtit zoologjik?” - pyeti Zodi.

“Dhe... dhe krokodilët? A tremben dhe trishtohen edhe ata?”, - pyeti Aharsi.

“A nuk i ke parë të fshehur nën ujë? - iu përgjigj Zodi, ndërsa i dha shoqes së saj një goditje lozonjare me hundën e saj. - Na mungon ndonjëherë shtëpia, Aharsi. Por kjo është arsyeja pse të gjithë dukemi ndryshe. Ne jemi të ndryshëm që të mbajmë mend. Më shiko mua. Kam këtë bisht të bukur që më kujton se ne leopardët jemi më të mirët për të mbajtur ekuilibrin lart në pemë.”

Aharsi u ndie shumë më mirë dhe shpejt filloi të gjëmonte me një gërhitje të thellë. “Dhe unë do të kem gjithmonë vijat e mia për t’u fshehur në barin e gjatë. Ne tigrat jemi gjuetarët më të mirë në të gjithë Bengalin!”

“Vijat e tua shkojnë kudo që shkon ti, Aharsi", - tha Zodi duke buzëqeshur.

“Dhe kur elefantët ndihen të trishtuar, ata mund të shikojnë feçkën për të kujtuar se janë më të mirët për të spërkatur ujë, - tha Aharsi. - Dhe kur krokodilët ndihen të trishtuar ose të frikësuar, mund të shikojnë këmbët e tyre me rrjetë dhe të kujtojnë se janë më të shpejtë në lumë...”

Tigri i vogël u tërhoq pak, sytë e tij po rëndoheshin dhe iu hap goja pa e vënë re. Tani ishte mbrëmje dhe kopshti zoologjik gjallëronte me thirrjet lakmuese të kafshëve të panumërta. Disa ishin me vija, disa me njolla. Asnjëra prej tyre nuk ishte e njëjtë me tjetrën. Ndërsa nata ra dhe një milion yje mbushën qiellin, Aharsi filloi të kuptonte se, megjithëse të gjitha kafshët ishin të ndryshme, të gjitha ndiheshin njësoj ndonjëherë. Atëherë ai kuptoi se nuk do të ishte asnjëherë vetëm dhe e dinte se do ta mbante shtëpinë e tij në zemër përgjithmonë.

Enjoyed this story?
Find out more here