KidsOut World Stories

Pse elefantët nuk mund të fluturojnë Becky Walker    
Previous page
Next page

Pse elefantët nuk mund të fluturojnë

A free resource from

Begin reading

This story is available in:

 

 

 

 

Pse elefantët nuk mund të fluturojnë

Një histori indiane

 

 

 

 

 

*

Shumë kohë më parë, shumë më parë nga sa mund ta kujtojë shumica e njerëzve, elefantët mund të fluturonin! Ata kishin katër krahë të mëdhenj dhe lëviznin nëpër qiell aq shpejt sa kafshët e tjera mahniteshin. Por këto bisha të mëdha ndonjëherë ishin edhe budallaqe. Por shhh... kafshët e tjera heshtnin dhe nuk e diskutonin asnjëherë këtë.

Duke qenë se elefantët ishin kaq të fortë dhe të shpejtë, Zoti vendosi që ta ndihmonin. Ai mund të hipte mbi këto bisha të mëdha dhe ato mund ta ndihmonin të rregullonte detajet e vogla të botës. Në një çast, Ai mund të ishte në Kinë dhe prej andej, sa hap e mbyll sytë, mund të shkonte në Islandë! Dhe këta elefantë ishin aq të fortë, sa shtynin dhe shtynin malet dhe ajsbergët, duke i zhvendosur derisa gjithçka në botë të ishte e përsosur. Për shembull, ata e ndihmuan Zotin të vendoste Himalajet në Indi dhe malin Kilimanxharo në Tanzani.

Duke hipur mbi këta elefantë, Zoti rregulloi gjithë botën dhe e bëri atë shumë të përsosur.

Pasi ishte bërë gjithë kjo punë e madhe, Zoti u tha elefantëve se mund të bënin pushime të përhershme. Uh... domethënë, derisa Ai të kishte një punë tjetër për ta.

Tani elefantët nuk kishin shumë punë. Dhe e dini se çfarë ndodhi? Elefantët u bënë përtacë dhe, për të kaluar kohën, flisnin për kohët e vjetra. Flisnin se sa të fortë kishin qenë. Flisnin se sa të shpejtë ishin dhe se si Zoti i kishte privilegjuar. Dhe sa më shumë që flisnin, aq më shumë mendonin se ishin shumë, shumë më të mirë se të gjitha kafshët e tjera në Tokë.

Ata ishin pa dyshim më të rëndësishmit!

Elefantët bisedonin kot me njëri-tjetrin. “Shiko atë palloin”, - thoshin ata në mënyrë të pasjellshme. - Shiko sa të shëmtuar dhe ngjyrëkafe janë krahët e tij të vegjël në krahasim me tanët!” Dhe ata gjithmonë kujdeseshin që ta ngrinin zërin, që palloi i vogël të dëgjonte fjalët e tyre të liga.

Palloi i gjorë, i cili ishte i sjellshëm dhe i përulur, nuk mund të mos pajtohej me elefantët. Ai mendoi: “Elefantët kanë të drejtë. Unë jam i vogël. Krahët e mi nuk janë të bukur si ato të zanave dhe as nuk jam i fortë si elefantët”.

Me kalimin e kohës, elefantët filluan të krenoheshin. Filluan të mendonin se mund të bënin çfarë të donin. Elefantët e pangopur merrnin të gjitha bananet nga pema e bananes, duke mos lënë asnjë për kafshët e tjera. Kafshët e tjera ishin të trishtuara, sepse nuk gjenin asnjë banane për të ngrënë. Dhe e dini se çfarë bënin elefantët me këto banane në feçkat e tyre?

Elefantët zbrisnin në një fshat, në cilindo fshat që u pëlqente - dhe i hapnin krahët si qilim dhe uleshin për të bërë piknik. I gjithë fshati shtypej nga pesha e elefantëve. Shtëpitë rrafshoheshin, arat rrënoheshin dhe fshatarët mërziteshin shumë.

Fshatarët e varfër ishin shumë të zemëruar nga shkatërrimi i shtëpive të tyre dhe kafshët me stomakun bosh ishin gjithashtu shumë të inatosura. Kështu, Zoti vendosi t’i jepte fund kësaj. Këta elefantë krenarë dhe lakmitarë ishin bërë shumë arrogantë dhe duhej t’u jepej një mësim!

Zoti i ftoi të gjithë elefantët për një bisedë. Ai u tha: “O elefantë të fuqishëm, më dëgjoni Mua. Ju jam shumë mirënjohës që më ndihmoni ta bëj botën të përsosur. Kështu që dua të bëj një festë. Vetëm për ju”.

Të gjithë elefantët ishin shumë të lumtur. Një elefant i tha tjetrit: “Shiko! Edhe Zoti mund ta shohë sa të fortë dhe të guximshëm jemi - sa shumë e kemi ndihmuar Atë. Është e drejtë që Ai të bëjë një festë vetëm për ne!”

Kështu, elefantët e pangopur, të gjithë të fryrë nga krenaria dhe vetëbesimi, mbërritën në festë një nga një. Siç u kishte premtuar, Zoti gjeti ushqimin më të mirë dhe kishte male me ushqime! Banane të verdha, shegë të kuqe në ngjyrë të ndezur, gujava të forta, mango me lëng… çfarëdolloj frutash që mund të të shkonte në mendje, ishin aty.

Elefantët e pangopur u kënaqën. Dhe i hëngrën të gjitha. Edhe kafshatën e fundit.

Në fund të vaktit, elefantët ishin aq të ngopur, sa një nga një ranë për të fjetur, të rrethuar nga lëkurat e bananeve dhe të mangos. Ky ishte çasti që Zoti e kishte pritur. Kur mbylli sytë edhe elefanti i fundit, Zoti nxori një thikë shumë të madhe. Në heshtje, Ai shkoi te secili elefant dhe ia preu krahët. Ai ua dha këta krahë të bukur pallonjve të vegjël. Pallonjtë e vegjël ishin aq të lumtur sa vrapuan në pyll për të kënduar dhe për të kërcyer.

I ke parë të kërcejnë pallonjtë, të kërcejnë pallonjtë, të kërcejnë pallonjtë?

I ke parë të kërcejnë pallonjtë, rreth e qark pemëve?

Po, i kam parë pallonjtë të kërcejnë, pallonjtë të kërcejnë, pallonjtë të kërcejnë.

Po, i kam parë pallonjtë të kërcejnë, rreth e qark pemëve.

*

Dhe tani imagjinoni elefantët.

Më në fund, kur elefantët u zgjuan nga gjumi i tyre i gjatë, u tronditën kur panë pallonin e bukur që u tregonte pendët e tij mbresëlënëse. Ata u zemëruan vërtet. Por Zoti nuk kishte kohë të dëgjonte ankesat e tyre. Në vend të kësaj, Ai tha: “Dua që ju, elefantët, të bëheni më të mirë, më të sjellshëm. Dua që ta përdorni forcën tuaj dhe t’i ndihmoni fshatarët të rindërtojnë shtëpitë e tyre”.

Elefantët ndiheshin shumë të turpëruar për atë që kishin bërë. Ata vendosën t’i ndihmonin fshatarët sa të mundnin. Kështu edhe sot, në çdo fshat ka elefantë që shkojnë e vijnë, duke ndihmuar njerëzit teksa kalojnë.

Enjoyed this story?
Find out more here