KidsOut World Stories

Gjarpri ylber    
Previous page
Next page

 

 

 

 

Gjarpri ylber

Një histori aborigjene nga Australia

 

 

  

 

*

Shumë kohë më parë, në Kohën e Ëndrrave, një grup aborigjenësh kishin dalë për gjueti. Pas shumë orësh, ata u lodhën dhe u ulën të pushonin dhe, ndërsa ishin ulur, duke treguar histori dhe duke ngrohur duart pranë zjarrit, njëri prej tyre ngriti sytë.

Diku në horizont ishte një hark i bukur shumëngjyrësh - një ylber. Por aborigjenët menduan se ishte një gjarpër që lëvizte nga një gropë uji në tjetrën dhe u trembën, pasi nuk donin që gjarpri i madh me ngjyra të ndezura në gropën e ujit t’i afrohej kampit të tyre. Ata ishin të kënaqur që nuk po lëvizte shumë në gropën e ujit pranë tyre.

Njëri prej djemve donte të dinte më shumë për gjarprin ylber, kështu që kur u kthye në shtëpi, i pyeti pleqtë e fisit të tij se pse gjahtarët kishin frikë nga gjarpri ylber.

Pleqtë i thanë se gjarpri ylber ishte një nga krijesat e Kohës së Ëndrrave që i kishin dhënë formë Tokës.

Në fillim, Toka ishte e sheshtë. Kur gjarpri ylber përshkoi tokën, lëvizja e trupit të tij formoi malet dhe luginat ku gjendeshin lumenjtë. Ai ishte gjallesa më e madhe e Kohës së Ëndrrave dhe fuqia e tij i trembi edhe krijesat e tjera të asaj kohe.

Në fund, i lodhur nga përpjekjet për të formuar Tokën, gjarpri ylber u zvarrit në një gropë uji ku u shtri në ujin e freskët që e qetësoi dhe i zbehu ngjyrat e ndezura të trupit të tij.

Sa herë që kafshët vizitonin gropën me ujë, bënin kujdes që të mos e turbullonin ujin, sepse, edhe pse nuk mund ta shihnin, ata e dinin që ai ishte aty.

Ai dilte vetëm pas stuhive të forta kur gropa e ujit turbullohej dhe kur dielli i prekte trupin me ngjyrë. Pastaj, ai u ngrit nga gropa e ujit dhe brodhi mbi majat e pemëve, lart nëpër re dhe përtej fushës në një gropë tjetër uji.

Njerëzit u trembën se mos gjarpri ylber ishte zemëruar dhe do të shkatërronte tokën edhe një herë, prandaj qëndruan në heshtje dhe pa lëvizur derisa ai shkoi në shtëpinë e tij të re. Pasi arriti atje, ai u zhduk përsëri nën ujë dhe nuk u pa më.

Kjo është arsyeja pse aborigjenët tregohen të kujdesshëm që të mos shqetësojnë gjarprin ylber, teksa e shohin duke kaluar nëpër qiell, nga një gropë uji në tjetrën.

Enjoyed this story?
Find out more here