KidsOut World Stories

 

 

 

 

Peneli magjik

Përrallë popullore kineze

 

 

 

 

 

*

Njëherë e një kohë, na ishte një djalosh i quajtur Ma Liang. Ai ishte i varfër, por i sjellshëm dhe i pëlqente të vizatonte aq shumë sa vizatonte kudo. Një natë, pa në ëndërr se një plak i dha një penel magjik dhe i kërkoi që ta përdorte për të ndihmuar njerëzit e varfër. Kur u zgjua, e gjeti penelin magjik mbi tavolinën e tij.

Që nga ajo ditë, Ma Liangu e përdorte penelin sa herë që njerëzit e varfër kishin nevojë për ndihmë. Kur pa që njerëzit nuk kishin ujë për të ujitur fushat, ai vizatoi një lumë dhe lumi mori jetë. Njerëzit mund të merrnin ujë nga lumi dhe ta çonin në fushë që të rriteshin të korrat e tyre. Kur pa fermerët e palodhur që përpiqeshin të ushqenin familjet e tyre, ai vizatoi më shumë ushqim për të ngrënë. Shpejt, njerëzit morën vesh për penelin magjik dhe ishin shumë mirënjohës ndaj Ma Liangut.

Por në fshat jetonte një pasanik i lig, i cili vendosi t’ia vidhte djaloshit penelin që ta përdorte për t’u bërë edhe më i pasur. Kështu, ai dërgoi shërbëtorët e tij në shtëpinë e Ma Liangut për t’i vjedhur penelin magjik.

Pasi mori penelin, pasaniku u ndie shumë i lumtur dhe ftoi miqtë në shtëpinë e tij që t’u tregonte pasurinë e tij të re. Ai vizatoi shumë piktura, por asnjëra prej tyre nuk i realizohej.

Pasaniku u zemërua shumë që peneli nuk funksiononte për të, kështu që kërkoi t’i sillnin Ma Liangun.

Ai i tha djaloshit: “Nëse më vizaton disa piktura dhe i realizon, do të të lë të lirë”.

Ma Liangut, që nuk donte të ndihmonte një njeri aq të keq, i lindi një ide.

Ai i tha njeriut të keq: “Çfarë dëshiron që të vizatoj?”

Pasaniku i tha: “Dua një mal të artë. Do të shkoj atje për të mbledhur ar.”.

Por djaloshi vizatoi fillimisht një det.

Pasaniku u zemërua dhe i tha: “Pse vizatove det? Dua një mal të artë. Vizatoje shpejt!”

Kështu, djaloshi vizatoi një mal të artë, por shumë larg, matanë detit.

Pasaniku tha: “Vizato shpejt një anije të madhe. Dua të shkoj të mbledh ar.”.

Djaloshi qeshi nën zë dhe vizatoi një anije të madhe. Pasaniku u hodh në anije dhe u nis drejt arit, por, kur anija arriti në mes të detit, Ma Liangu vizatoi një valë të madhe e cila e shkatërroi anijen dhe pasaniku nuk u pa më në fshat.

Pas kësaj, djaloshi jetoi i lumtur me familjen e tij dhe e përdori penelin magjik për të ndihmuar të varfrit, siç ia kishte kërkuar plaku. Peneli magjik u bë i njohur dhe i dashur nga të gjithë.

Enjoyed this story?
Find out more here