KidsOut World Stories

Mallkimi Vasconcelos Monteiro    
Previous page
Next page

 

 

 

 

Mallkimi

Një histori portugeze

 

 

 

 

 

*

Shumë kohë më parë, ishte një fshat i vogël buzë një pylli të madh. Ai ishte fshat i qetë shumicën e kohës, por fshatarët jetonin nën frikën e lobizonëve, për të cilët thuhej se banonin thellë në pyll. Lobizonët ishin krijesa të frikshme, gjysmënjeri dhe gjysmujk. Thuhej se, kur ishte hëna e plotë, këto krijesa zvarriteshin dhe dilnin nga pylli për të kërkuar mish njeriu.

Por si lind një krijesë e tillë? Kjo është e thjeshtë: mallkimi që bëhej për djalin e shtatë të lindur në çdo familje. Mallkimi nuk ndodhte me asnjë vajzë, por, nëse një nënë lindte shtatë djem, i fundit nga djemtë me siguri do të bëhet lobizon.

Kur lindi Filipe, nëna e tij u tremb. Ajo kishte shpresuar të ishte vajzë, jo djalë i shtatë. Nëna e Filipes ishte e mirë dhe e dashur dhe nuk do ta hidhte fëmijën e saj, pavarësisht se çfarë thoshin fshatarët për mallkimin.

Kaluan shumë vite të qeta. Filipe u rrit dhe u bë një djalë i fortë, të cilin e donin shumë nëna, babai dhe gjashtë vëllezërit. Por Filipe nuk mund të mos vinte re se trajtohej ndryshe nga vëllezërit e tij. Nuk shkoi në shkollë, sepse mësuesja nuk e pranonte. Kjo ishte e padrejtë, sepse djalit të vogël i pëlqente të mësonte gjëra të reja dhe dëshironte të krijonte miqësi me fëmijët e tjerë.

Nëse ndonjëherë nëna e dërgonte Filipen të merrte bukë, banorët e fshatit nuk kalonin asnjëherë nga rruga e tij dhe gjithmonë e shikonin me njëfarë frike dhe inati, gjë që e shqetësonte djaloshin. Fëmijët e tjerë nuk luanin me të dhe atij nuk i lejohej të dilte në kopsht kur hëna ishte e plotë.

Kjo pika e fundit ishte ndoshta më e keqja nga të gjitha, sepse Filipe e pëlqente shumë hënën, diçka në lidhje me të – veçanërisht kur ishte e plotë dhe e rrumbullakët në qiellin e natës – i foli Filipes, i zgjoi shpirtrat dhe e bëri të këndonte, të kërcente dhe të vraponte.

Edhe pse bënte një jetë të qetë, Filipe nuk ishte aspak i lumtur. Ai ishte gjithnjë e më shumë i izoluar çdo vit që kalonte. Nuk kishte miq dhe nuk e kishin lënë asnjëherë të luante me fëmijët e tjerë. Ndonjëherë dëgjonte të qeshurat e tyre dhe imagjinonte se çfarë lojërash po luanin dhe sa shumë argëtoheshin të gjithë.

Filipe vuri re se edhe nëna dhe vëllezërit e tij kishin filluar ta shikonin çuditshëm.

“Çfarë kam? - pyeste shpesh veten Filipe. - Nuk jam djalë i keq. Bëj punët e mia dhe pothuajse asnjëherë nuk sillem keq. Pse më trajtojnë kaq ndryshe nga fëmijët e tjerë?”

Kur po i afrohej ditëlindja e pesëmbëdhjetë, Filipe ishte më i trishtuar se kurrë.

Nëna e tij rrallë e lejonte të dilte nga shtëpia dhe shpesh dukej e shqetësuar nën praninë e tij. Fëmijët e mbrapshtë e gjuanin me gurë nëse e shihnin ndonjëherë duke luajtur vetëm pranë shtëpisë së tij. Kur ai u kundërpërgjigjej, ata iknin të tmerruar sikur të ishte një përbindësh. Ndonjëherë, Filipe dëshironte të arratisej në pyllin e madh dhe të mos kthehej më.

Një ditë, nëna e tij e uli dhe i shpjegoi arsyen e shqetësimit të tij. “Ti je djali im i shtatë, - tha ajo, - ndaj je i mallkuar, biri im”.

Filipe u hutua shumë. “Çfarë mallkimi?” - pyeti ai.

“Kur të mbushësh pesëmbëdhjetë vjeç, do të bëhesh lobizon, një krijesë gjysmënjeri dhe gjysmujk.”

Filipe dinte gjithçka për lobizonët nga librat dhe nga historitë që tregonin vëllezërit e tij natën, sa herë që mendonin se atë e kishte zënë gjumi.

Asnjëherë nuk i kishin thënë Filipes se ai ishte mallkuar në një mënyrë të tillë. Ai nuk donte të ishte lobizon. Filipe nuk donte të ishte i lig apo mizor dhe nuk pajtohej aspak me idenë që të kishte kthetra të gjata dhe gëzof të trashë në të gjithë trupin.

Në prag të ditëlindjes së tij të pesëmbëdhjetë, djaloshi Filipe ishte më i trishtuar se kurrë më parë në jetën e tij. Ai u ul në shtrat në errësirë dhe qau nën vete. “Kam qenë gjithmonë vetëm, - mendoi ai. - Gjithmonë jam trajtuar ndryshe. Dhe tani jam i mallkuar të bëhem lobizon. Çfarë të bëj? Gjithçka që doja, ishte të trajtohesha njësoj si gjithë të tjerët. Gjithçka që doja, ishte të luaja në pyll me shokët dhe të admiroja hënën e bukur gjatë natës.”

Pikërisht në atë çast, Filipe hodhi sytë nga dritarja e dhomës së tij të gjumit dhe vuri re se hëna po ngrihej në qiellin blu të errët plot yje. Ishte një hënë e plotë e madhe e bukur dhe ia mbushi zemrën me gëzim. Pastaj ndodhi diçka shumë e çuditshme: Filipe ndjeu një përzierje në stomak dhe të kruara në të gjithë trupin. Nga kraharori i tij doli një ulërimë, ngriti kokën drejt hënës dhe e thirri atë siç nuk kishte bërë asnjëherë më parë.

Papritmas, trupi i Filipe u mbulua me lesh gjithandej dhe thonjtë e duarve dhe të këmbëve iu shndërruan në kthetra të gjata në ngjyrë fildishi. Rrobat e tij u grisën dhe ranë copë-copë në dysheme në këmbët e tij. Kur doli para pasqyrës, Filipe pa reflektimin e një djaloshi ujk shtatlartë që e shikonte përsëri me gëzof të trashë në të gjithë trupin dhe me sy të egër të kuq që dukej se shkëlqenin në errësirë.

“Pra, unë jam një lobizon!” - tha ai.

Filipe ndjeu thirrjen e hënës dhe të pyllit dhe e kuptoi se ishte koha të linte pas jetën e vjetër dhe të përqafonte fatin e tij.

Djaloshi i ri ujk hapi dritaren e dhomës së gjumit. Pak para se të dilte jashtë në errësirë, ai ndaloi dhe i hodhi një vështrim të fundit dhomës së tij të vjetër dhe mendoi për nënën, babanë dhe gjashtë vëllezërit e tij. “Do t’ju kujtoj gjithmonë, familja ime e dashur, por tani duhet të pranoj këtë që jam dhe të filloj një jetë të re.”

Pastaj u hodh nga dritarja e dhomës së tij të gjumit dhe vrapoi në pyll, duke i thirrur gjatë gjithë kohës hënës, me zemrën plot shpresa të reja dhe të çuditshme për të ardhmen.

Kur hyri thellë brenda pyllit të madh, Filipe u ndal në një kthinë të bukur dhe pa pemët e lashta dhe hënën e bukur lart në qiell. Ai ulëriti dhe ulëriti, kërceu, kërceu dhe qeshi... dhe, kur më në fund pushoi së bërtituri dhe së kërcyeri, vështroi përreth dhe vuri re se ishin mbledhur lobizonë të tjerë në kthinë. Disa ishin të rinj si Filipe, disa më të vjetër.

Ata iu afruan Filipes dhe e mirëpritën.

“Tani je në shtëpi, në pyllin e madh mes miqsh”, - i tha njëri me një zë të sjellshëm dhe të butë. Dhe pikërisht atëherë, Filipe e kuptoi se nuk ishte aspak i mallkuar.

“Unë jam një lobizon dhe jam në shtëpi!” - tha ai duke buzëqeshur, ndërsa ngriti kokën drejt hënës së plotë dhe lëshoi një piskamë me gjithë fuqinë e tij. Një lobizon tjetër iu bashkua të gjithëve dhe dërgoi një kor të madh lart në qiellin e natës në nder të hënës.

Shumë kilometra larg, nëna e Filipes qëndronte në kopshtin e saj e veshur me këmishën e natës dhe dëgjonte korin e lobizonëve që vinte si një erë e lehtë nga brenda pyllit të madh. Plaka buzëqeshi me vete, sepse e dinte që djali i saj i shtatë më në fund kishte gjetur një shtëpi ku do të ishte i mirëpritur, ku do të kishte shumë miq dhe do të jetonte gjatë e i lumtur.

Enjoyed this story?
Find out more here