KidsOut World Stories

Dreri dhe Xhaguari David Heathfield    
Previous page
Next page

 

 

 

 

Dreri dhe Xhaguari

Një histori braziliane

 

 

 

 

 

 *

Dreri po ecte përgjatë lumit të madh duke ecur nëpër nëpër pyll: “Oh, çfarë jete po bëj? Nuk kam një shtëpi. Ndoshta do ta ndërtoj një shtëpi për vete. Ky qenka një vend po aq i mirë sa çdo vend tjetër”.

Dreri vazhdoi të ecte.

Më pas erdhi Xhaguari pranë lumit të madh, duke ecur nëpër pyll. Ai kaloi në të njëjtin vend: “Oh, çfarë jete po bëj? Ndoshta një ditë do të sistemohem dhe do ta ndërtoj një shtëpi për vete. Ky do të ishte një vend po aq i mirë sa çdo vend tjetër”.

Dhe Xhaguari vazhdoi të ecte.

Dreri u kthye dhe me brirët e tij të hollë pastroi shkurret e pemët, niveloi tokën për të ndërtuar shtëpinë e tij dhe, më pas, vazhdoi të ecte nëpër pyll.

Në atë çast erdhi Xhaguari: “Ky është vendi ku do të ndërtoja shtëpinë time, por toka qenka pastruar dhe rrafshuar. Është e qartë se Zoti Tupan e ka bekuar këtë vend. Këtu do ta bëj shtëpinë time”. Dhe me entuziazëm, Xhaguari e rrafshoi tokën, e lëmoi, bëri një dysheme të fortë dhe të shndritshme me dhëmbët që e ndihmonin dhe, më pas, vazhdoi të ecte nëpër pyll.

U kthye Dreri: “Është bërë një dysheme, e shndritshme dhe e fortë. Është e qartë se Zoti Tupan po më ndihmon”. Dhe me energji të reja, dreri ndërtoi muret e shtëpisë. Kur mbaroi, Dreri vazhdoi të ecte nëpër pyll.

Në atë çast erdhi Xhaguari: “Zoti Tupan ka ndërtuar mure për shtëpinë time. Tani do të bëj çatinë”. Dhe Xhaguari i fortë bëri një çati, dhe, kur e mbaroi, vazhdoi të ecte nëpër pyll.

Dreri pa që çatia ishte bërë: “Tupani më ka bekuar vërtet”.

Brenda shtëpisë, Dreri bëri dy dhoma: një për vete dhe një për Tupanin. Ai hyri në një nga dhomat, pushoi dhe fjeti sapo u errësua.

Dhe tani Xhaguari u kthye dhe pa se kishte dy dhoma në shtëpi: “Tupani ka bërë një dhomë për vete që ta ndajë shtëpinë me mua”.

Ai shkoi në dhomën tjetër dhe fjeti.

Dreri dhe Xhaguari fjetën gjithë natën në të njëjtën shtëpi. Në të gdhirë, u zgjuan të dy.

Dreri pa Xhaguarin. Xhaguari pa Drerin: “A më ndihmove të ndërtoja shtëpinë?”

“Po. A më ndihmove të ndërtoja shtëpinë time?”

“Po, të ndihmova”.

Kështu ndodhi që Xhaguari dhe Dreri ndanë shtëpinë në harmoni ... për pak kohë.

Xhaguari ishte i uritur: “Bëj një zjarr. Vendos një tenxhere të vlojë. Unë po shkoj për gjueti”. Ai doli nga shtëpia dhe Dreri përgatiti zjarrin dhe enën me ujë të vluar.

Xhaguari gjeti një dre, e kapi dhe vrau. E çoi në shtëpi dhe filloi ta gatuajë drerin. Kur Dreri pa se çfarë po gatuante Xhaguari, u trishtua.

Xhaguari filloi të hante. Dreri kishte frikë dhe nuk hëngri. Ai shkoi në dhomën e tij dhe u përpoq të flinte.

Xhaguari shkoi në dhomën e tij.

Gjatë gjithë natës, Dreri i mbajti sytë hapur, i frikësuar se do të vinte Xhaguari dhe do ta gllabëronte.

*

Në mëngjes, Dreri i tha Xhaguarit: “Bëj një zjarr. Vendos në zjarr tiganin. Ziej ujin. Unë po shkoj për gjueti”.

Dreri shkoi në pyll. Atje ishte një xhaguar duke mprehur kthetrat e tij në lëvoren e një peme.

Dreri vazhdoi derisa gjeti Tamanduan, mizangrënësin.

“Ai xhaguar foli keq për ty.”

Tamandua u zemërua. E sulmoi xhaguarin me kthetrat e tij të forta dhe të mprehta. Kur xhaguari u vra, Tamandua u largua. Dreri e çoi xhaguarin e vrarë në shtëpi.

Kur Xhaguari pa se çfarë po gatuante Dreri, u frikësua. Ai nuk mund ta shikonte Drerin duke ngrënë vaktin, kështu që shkoi në dhomën e tij. Në të vërtetë, siç e dini, Dreri nuk e ha mishin e xhaguarit.

Dreri shkoi në dhomën e tij. Ai nuk mund të flinte. Kishte frikë se Xhaguari do të vinte natën dhe do ta gllabëronte.

Xhaguari nuk mund të flinte. Ai kishte frikë se natën do të vinte Dreri dhe do ta gllabëronte. Më në fund, Xhaguarin e zuri gjumi.

Më në fund, edhe Drerin e zuri gjumi. Dhe ndërsa i tundej koka, brirët iu përplasën në mur duke lëshuar një tingull të fortë. Xhaguari u zgjua, i frikësuar se Dreri po vinte për ta sulmuar. Ai lëshoi një britmë të madhe.

Dreri mendoi se Xhaguari po vinte për ta vrarë.

Dreri iku nga shtëpia! Edhe Xhaguari iku nga shtëpia! Të dy vrapuan në drejtime të kundërta. Që nga ajo kohë, Xhaguari dhe Dreri nuk kanë jetuar bashkë.

Enjoyed this story?
Find out more here